Farmacitë në vigjilencë gjatë gjithë tërmetit
Edhe pse rreziku më i madh ka kaluar dhe operacionet e kërkim-shpëtimit kanë reshtur, gjendja emocionale e njerëzve është e tensionuar, mezi flenë dhe hasin vështirësi me punë të përditshme. Në artikujt e shumtë që kemi përpiluar për të përballuar ankthin dhe stresin pas një katastrofe natyrore, rekomandohet të punosh me veten, të flasësh me miqtë e familjen dhe të ndjekësh një rutinë të shëndetshme ushqimi, gjumi dhe aktiviteti fizik. Për disa ama, këto nuk mjaftojnë dhe i janë drejtuar farmacive për mjekime qetësuese.
Një farmaciste, porsi të tjerë para saj, iu drejtua Anabel për të shprehur pikërisht këtë shqetësim. “Unë punoj në një farmaci në Tiranë dhe këto ditë ka pasur shumë raste ku kërkojnë të vetëmjekohen me barna kundër ankthit apo stresit pa u këshilluar më parë me një mjek të specializuar,” shkruan farmacistja që kërkoi të mbetej anonime. “Ato medikamente qetësojnë dhe stabilizojnë gjendjen e shokut post traumatik, por në asnjë mënyrë nuk duhet të merren pa rekomandimin e mjekut pasi kanë efekte anësore dhe krijojnë varësi.”
Bëhet fjalë për anksioliltikë (ose agjentë kundër ankthit) si alprazolam, i njohur me emrin komercial Xanax, diazepam, me emër komercial Valium dhe lorazepam, me emër komercial Titus.
Këto mjekime, që hyjnë në grupin e Benzodiazepinave, nuk duhen konsumuar pa recetën e mjekut sepse së pari, kanë efekte anësore të painjorueshme si marrje mendsh, plogështi, mungesë përqëndrimi, paaftësi në drejtimin e automjeteve dhe rritje të shanseve për aksidente rrugore, si dhe kanë efekt të kundërt me atë të dëshiruarin me rritjen e përdorimit. Mund të ndërveprojnë me mjekime të tjera që mund të jeni duke marrë dhe mund të përkeqësojnë gjendjen tuaj shëndetësore, nëse vuani nga ndonjë sëmundje specifike. Duke mos pasur këshillimin e mjekut, një gjendje që këta njerëz kërkojnë të shërojnë thjesht përkeqësohet. Gjithashtu, heqja dorë nga qetësuesit është shumë e vështirë pasi krijon varësi dhe shoqërohet me simptoma fizike dhe mendore të ngjashme me efektet anësore.
Në vendin tonë, këto barna nuk mund të blihen pa recetë, por ka vende që e mbyllin një sy, sidomos këto ditë. Do të ishte më mirë për të gjithë sikur të tregoheshin më striktë. Edhe njerëzit, nëse vërtet mendojnë se kanë nevojë, më mirë të konsultohen me një specialist. Truri është një organ si gjithë të tjerët. Edhe ai sëmuret. Veçse duhet pasur jashtëzakonisht kujdes me mjekimet që ndikojnë në të, sepse është organi më i rëndësishëm në trup. Kështu që, kujdes me benzodiazepinat.
Farmacitë në vend janë solidarizuar me nevojat që kanë pasur qytetet e prekura nga tërmeti. Kanë punuar me orare të zgjatura dhe kanë falur mjekime të nevojshme, sipas kërkesave të mjekëve në terren. Më së shumti janë kërkuar mjekime për tensionin e lartë, si nifedipina (emër komercial Adalat), atenolol (emër komercial Tenormin) dhe metoprolol për dhimbjet e kraharorit dhe tensionin e lartë. Antibiotikët sigurisht përfshihen në mjekimet e domosdoshme në situata emergjente. Gjithashtu edhe shampot kundër parazitëve, sepse në mungesë të banjave, ruajtja e higjienës bëhet më e vështirë.