
Ndërkohë që afrohet fundi i sezonit të Peshores dhe Dielli përgatitet për të kaluar në Akrep, Hëna udhëton nga Gaforrja në Peshore. Çfarë do të thotë kjo për ne? Fokusi këtë javë është: shtëpia, rutina e përditshme, kujdesi për veten dhe padyshim, marrëdhëniet intime.
Karta kolektive e javës për të gjithë shenjat është "Dashnorët", por e kthyer përmbys. Një sinjal i qartë: ndalo së krahasuari veten me të tjerët. Jetën nuk e fiton kush e ka më të bukur në Instagram, por kush e menaxhon më mirë për veten e vet.
Shkurt: Rregullo ç’ke për të rregulluar, sepse po e bën për vete, jo për dikë tjetër.
Lexo më poshtë letrat Tarot për secilën shenjë të horoskopit për javën 13–19 Tetor:
Dashi
Një javë e mbushur me dashuri. Po, po, qoftë në një njohje të re, një flirt që ndizet papritur ose një marrëdhënie që thellohet. Romanca është në ajër dhe ti je në qendër të saj. Dil më shumë. Jeto ndjenjat!
Demi
Durimi është virtyti yt këtë javë, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien. Ke dëshirë të bëhesh versioni më i mirë i vetes? Fillo me hapa të vegjël. Bëj një rutinë të re. Fillo që tani.
Binjakët
Po ndihesh pak i bllokuar emocionalisht? Mos iu largo ndjenjave. Përkundrazi, përballu me to. Është e frikshme, por do të të ndihmojë të ecësh përpara. Kjo javë kërkon guxim emocional.
Gaforrja
Tema e javës: familja dhe shtëpia. Duket sikur nuk po i shpreh dot saktë ndjenjat, apo s'të kuptojnë dot të tjerët? Merr kohën që të duhet. Mos fol kur je i ngarkuar emocionalisht. Fjalët kanë peshë dhe efekt.
Luani
Një ide e re, një projekt, një mesazh i rëndësishëm; je gati për të nisur diçka nga e para. Po planifikon të komunikosh me shumë njerëz? Ki kujdes me fjalët dhe mesazhin që do të përcjellësh. Fillo me ato të mirat.
Virgjëresha
Nuk është gjithmonë e lehtë të lësh të shkuarën pas, veçanërisht kur lidhet me paratë. Kjo javë të shtyn drejt ndryshimit, por ti duhet të jesh gati për ta pranuar. Mos lejo frikën të të mbajë peng.
Peshorja
Afërdita hyn në shenjën tënde dhe ti fillon të shkëlqesh si asnjëherë më parë. Jepi vetes një rifreskim, ndoshta një veshje të re apo një ndryshim të vogël në pamje. Ndonjëherë, ndjesia e mirë fillon nga jashtë.
Akrepi
Një kapitull po mbyllet. Po ndihesh i lodhur, por kjo është shenjë që po afrohesh drejt një mbylljeje të rëndësishme. Mos u tremb nga përfundimet, ato hapin rrugën për fillime të reja.
Shigjetari
Një dëshirë e vjetër mund të bëhet realitet këtë javë, ndoshta përmes një personi që e njeh tashmë. Lidhjet shoqërore janë më të forta dhe më kuptimplota. Ki besim në univers... dhe në rrethin tënd shoqëror.
Bricjapi
Pak tension në marrëdhënie? Ke ndjesinë që po punon shumë për shumë pak? Mos lejo që frustrimi të dominojë. Ftohi mendimet, fol me drejtësi dhe zgjidhi konfliktet me klas. Të jepet një mundësi për të vendosur kufij të shëndetshëm.
Ujori
Je lodhur nga përpjekjet që nuk të japin rezultat të menjëhershëm? E kuptueshme. Por kjo javë të thotë: mos e lër rrugën përgjysmë. Marrja e një pushimi është e mirë, por ikja s’është zgjidhje. Rritja ndodh prapa skenave.
Peshqit
Ti je zemra e horoskopit këtë javë. Natyra jote emocionale është arma jote më e fortë – vetëm nëse e përdor me mençuri. Të tjerët mund të mos të të kuptojnë menjëherë, por ti mos u mbyll. Hap zemrën dhe do të gjesh rrugën.