Një ditë janë fëmijët që ju tregojnë çdo gjë; ditën tjetër përgjigjen me “mirë”, rrinë me orë në telefon dhe sillen sikur çdo këshillë e juaja vjen nga një epokë tjetër. Mirë se vini në adoleshencë!
Prindërimi për fëmijë adoleshentë mund të jetë një nga fazat më sfiduese të jetës familjare. Fëmija që dikur qeshte me çdo gjë që thoshit, tani mund t’ju injorojë, t’ju përgjigjet shkurt ose të duket sikur telefoni ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër.
Por sado e lodhshme të jetë kjo periudhë, është e rëndësishme të kujtojmë diçka: adoleshenca është faza kur fëmijët po mësojnë të bëhen të pavarur, të menaxhojnë emocionet dhe të gjejnë vendin e tyre në botë.
Ja disa sjellje tipike që shumë prindër i njohin mirë dhe disa mënyra më të shëndetshme për t’i përballuar.
1. Sillen sikur prindërit nuk dinë asgjë
Shumë adoleshentë kalojnë një fazë ku çdo këshillë e prindit u duket e vjetër, e sikletshme ose thjesht e gabuar. Edhe kur këshilla është praktike, ata mund ta refuzojnë, sepse po përpiqen të tregojnë se mendojnë vetë.
Ironia është se ndonjëherë kthehen më vonë dhe thonë të njëjtën gjë sikur sapo e kanë zbuluar diku tjetër. E bezdisshme? Po. Por shpesh kjo flet më shumë për dëshirën e tyre për pavarësi sesa për mendimin që kanë për inteligjencën tuaj.
2. Janë gjithmonë në telefon
Telefoni për adoleshentët nuk është një pajisje, por vendi ku flasin me miqtë, shohin video, luajnë, ndjekin trendet dhe ndihen pjesë e botës së tyre.
Për prindërit mund të duket sikur po humbasin lidhjen me realitetin, sidomos kur nuk ngrejnë kokën as gjatë vakteve apo bisedave. Kjo nuk do të thotë se koha e pakufizuar në ekran është e shëndetshme, por ndihmon të kuptohet pse ndarja nga telefoni u duket kaq e vështirë.
3. Përgjigjen me një fjalë
“Si shkoi shkolla?”
“Mirë.”
“Çfarë bëre?”
“Asgjë.”
Për shumë prindër, kjo është një nga gjërat më frustruese. Adoleshentët shpesh i shmangin pyetjet shumë të drejtpërdrejta, sepse nuk duan të analizohen, korrigjohen apo shtyhen në një bisedë të gjatë.
4. Lënë rrëmujë kudo
Dhoma mund të duket si zonë katastrofe, rrobat përfundojnë në karrige, gotat nëpër shtëpi dhe çdo sipërfaqe e lirë mbushet me diçka.
Prindërit e shohin si dembelizëm ose mungesë respekti. Adoleshentët, nga ana tjetër, shpesh nuk e shohin rrëmujën me të njëjtën urgjencë si një i rritur. Problemi është se pavarësia po rritet më shpejt se përgjegjësia.
5. Kthejnë çdo kërkesë në debat
I kërkon të nxjerrë plehrat dhe papritur po debatoni për drejtësinë, besimin, lirinë dhe pse familjet e tjera kanë rregulla të tjera.
Adoleshentët po mësojnë të mbrojnë mendimet e tyre, por nuk e dinë gjithmonë kur një bisedë kërkon negocim dhe kur kërkon thjesht veprim. Për prindërit, pjesa më lodhëse është ndjesia se çdo kërkesë e vogël kthehet në gjyq.
6. Rrinë zgjuar shumë vonë
Netët e gjata, mëngjeset e vështira dhe irritimi kur duhet të zgjohen janë pjesë klasike e adoleshencës. Ndonjëherë ndodh për shkak të telefonit, lojërave ose mesazheve natën vonë. Por edhe ritmi biologjik i gjumit mund të ndryshojë gjatë kësaj moshe.
Kjo nuk i bën mëngjeset më të lehta, por shpjegon pse zgjimi mund të duket si betejë e përditshme.
7. U intereson shumë mendimi i miqve
Një gjë që dikur u pëlqente, tani mund ta refuzojnë vetëm sepse një shok mendon ndryshe. Rrobat, muzika, interesat, mënyra e të folurit, gjithçka mund të ndryshojë shpejt.
Në adoleshencë, pranimi nga grupi ka peshë të madhe. Kjo mund të jetë e vështirë për prindërit, sidomos kur duket sikur mendimi i një shoku vlen më shumë se i tyre.
8. Reagojnë shumë fort për gjëra të vogla
Një plan i anuluar, një mesazh me ton të gabuar, një koment nga një mik - për një adoleshent mund të duket si fundi i botës.
Prindërit shpesh kanë tundimin të thonë “nuk është ndonjë gjë e madhe”. Por për ta, në atë moment, ndjenja është shumë reale. Rregullimi emocional është ende në zhvillim, ndaj reagimi shpesh vjen më shpejt se perspektiva.
9. Harrojnë përgjegjësitë bazë
Mund të mbajnë mend çdo detaj të një drame mes shokësh, por harrojnë detyrat, punët e shtëpisë ose gjërat që u janë kujtuar pesë herë.
Kjo i çmend prindërit, sidomos kur kujtesa pasohet nga nervozizëm. Ndonjëherë janë të shpërqendruar, ndonjëherë të mbingarkuar, ndonjëherë thjesht nuk kanë krijuar ende rutina të forta.
10. Testojnë kufijtë vazhdimisht
Kërkojnë edhe një përjashtim. Shtyjnë orarin e kthimit. Sfidojnë rregullat e telefonit. Sillen sikur pasojat janë surprizë, edhe pse ua keni thënë qartë.
Testimi i kufijve është i lodhshëm, por është edhe mënyra si adoleshentët mësojnë raportin mes lirisë, besimit dhe përgjegjësisë.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Zgjidhni betejat. Jo çdo sjellje e bezdisshme meriton një reagim të madh. Nëse çdo gjë bëhet konflikt, adoleshenti mund të nisë të mos ju dëgjojë fare.
Qëndroni të qetë para se të përgjigjeni. Adoleshentët mund të thonë gjëra të ashpra në momente tensioni. Një frymëmarrje para përgjigjes mund të shmangë një debat më të madh.
Jini të qartë me pritshmëritë. “Sillu me përgjegjësi” është shumë e përgjithshme. “Detyrat pastaj mund të luash" ose “enët vendosen në lavaman pas ushqimit” është shumë më e qartë.
Jepuni pavarësi. Lërini të marrin vendime të përshtatshme për moshën, si stili personal, hobet apo mënyra si organizojnë disa pjesë të ditës. Kur ndihen të besuar në gjëra të vogla, i pranojnë më lehtë kufijtë në gjëra më të mëdha.
Dëgjoni para se të jepni zgjidhje. Ndonjëherë adoleshenti nuk do këshillë. Do vetëm të flasë. Mund ta pyesni: “Do një mendim apo do vetëm të të dëgjoj?”
Kujdes me pasoja! Pasojat funksionojnë më mirë kur lidhen me sjelljen. Nëse nuk zbaton rregullin e përdorimit të telefonit, vendosi një "ndëshkim" që ka lidhje me telefonin sesa një ndëshkim pa lidhje.
Respektoni privatësinë, por qëndroni të përfshirë. Trokisni para se të hyni në dhomë, mos kontrolloni çdo gjë pa arsye, por dijeni ku janë, me kë janë dhe si janë emocionalisht.
Vlerësoni përpjekjen, jo vetëm gabimet. Adoleshentët dëgjojnë shpesh çfarë harruan apo çfarë bënë keq. Një “e vura re që e mbarove vetë” mund të ketë më shumë ndikim sesa duket.
Mos e lini problemin të bëhet më i madh se marrëdhënia. Është e lehtë të përqendrohesh vetëm te korrigjimi i sjelljes, derisa çdo bisedë të duket si kritikë. Lini vend edhe për humor, biseda të zakonshme dhe momente që nuk lidhen me rregullat.
Adoleshenti ka ende nevojë të ndihet i dashur, edhe kur po sillet në mënyrën më të vështirë të mundshme. Një marrëdhënie e fortë nuk i zhduk konfliktet, por e bën më të lehtë kalimin përmes tyre.
Burimi: TheZenParent




