Dje, në Anabel Facebook u kthyem shumë pas në kohë dhe ndaluam tek pushimet e fëmijërisë. Letrat e mbërritura në inbox ishin pafund dhe mesazhi që morëm ishte e qartë. Na mungojnë kaq shumë gjëra nga pushimet që bënim dikur! Mbi të gjitha, thjeshtësia.
1. E gjithë lagja në plazh!
Të gjithë i kujtojmë me mall ditët kur njëri prej baballarëve të lagjes merrte përsipër të na çonte në plazh. Një natë para, askush s’flinte gjumë sepse merreshim me përgatitjet për mëngjesin tjetër. S’ka rëndësi nëse do shkonim me makinë a fugon,e sigurt ishte që do ktheheshim të lodhur për vdekje, por të lumtur për 1 javë rresht.
2. Çadrat me vete dhe kosi i darkës!
Të jemi të sinqertë, përtej komoditetit, ka momente që të gjithëve na vjen në majë të hundës fakti që se s’bën duhet të paguajmë për të bërë plazh aty ku duam. Pse?! Sepse nëse nuk ulemi në shezlong apo nëse marrim çadër me vete, automatikisht na duket sikur të gjithë “po na shohin”. Për t’i zhdukur këto ide, kujtoni që kuleta është e juaja dhe kënaqësinë në fund të ditës do ta merrni ju. Gjithçka vlen ndodhet brenda, jo mbi shezlonët e rehatshëm.
3. Buka me vete.
U bënë vite që nga koha kur mamat shpenzonin gjithë energjinë e tyre për të na përgatitur ushqime para plazhit. Ndonëse kundërshtonim, na mbyllej goja pas shprehjes legjendare: “Hajde se deti të shton urinë”. Dhe kishin të drejtë...
Pa nisur mirë plazhin, fillonin gërmimet brenda çantës.
4. Qejfi i vërtetë!
Nga ç’kuptuam, njerëzit e ndjejnë që sot dashur po dashur jetohet për fasadë. Të gjithëve i mungon koha kur në plazh shkohej për të bërë qejf vërtetë. Jo vetëm në Instastory. Kush e kishte mendjen për foto ndërkohë që mund të zhyteshim dhe eksploronim qindra gjëra rreth e qark?
5. Topi, letrat dhe gjithë lojërat e tjera.
Sa e sa vite u bënë që nuk shohim më njerëz që luajnë në breg të detit? Fëmijë që nuk ndërtojnë kështjella prej rëre?!
6. Thjeshtësia.
Dikur s’kishte nevojë për make up para plazhit. Askush nuk do t’i vinte re nëse qërpikët e tu të bërë dukeshin si natyralë apo jo. Aq më pak sa e nxirë ishe që në fillim të sezonit. Ishim kaq të zënë duke e shijuar diellin dhe detin sa s'donim të dinim ç'bëhej tek çadra tjetër.