
Larja, tharja, krehja, stilimi, etj. Ka kaq shumë faza që flokët tanë kalojnë çdo ditë, dhe mënyra se si i trajtojmë mund të ketë ndikim të madh, për mirë apo për keq. Në fakt, disa prej zakoneve që ndjekim pa u menduar shumë, mund të jenë duke i dëmtuar flokët më shumë sesa mendojmë.
Sigurisht, disa gabime janë tashmë të njohura (si përdorimi i piastrës çdo ditë), por ka edhe disa zakone të tjera më të fshehura, që shumë nga ne i praktikojmë pa e kuptuar dëmin që u shkaktojnë flokëve.
Më poshtë po rendisim 5 zakone të përditshme që mund të jenë më të dëmshme seç duken dhe ja pse duhet t’i ndryshoni sa më parë.
1. I lani flokët shumë shpesh
E keni dëgjuar më parë dhe me të drejtë: larja e shpeshtë e flokëve i heq vajrat natyralë që i mbajnë flokët të hidratuar dhe të shëndetshëm. Si reagim, skalpi prodhon edhe më shumë yndyrë për të kompensuar humbjen dhe përfundoni me flokë që yndyrosen më shpejt. Nëse i lani flokët çdo ditë, përpiquni të kaloni në çdo dy ditë, duke i dhënë kohë natyrës të bëjë punën e saj.
2. Aplikoni balsam në flokë që pikojnë ende
Në sallonet profesionale, stilistët gjithmonë i shtrydhin butësisht flokët përpara se të vendosin balsam ose maskë. Arsyeja? Nëse flokët janë shumë të lagur, uji i tepërt e hollon produktin dhe pengon përthithjen e përbërësve aktivë. Pra, para se të vendosni balsam, sigurohuni që flokët të jenë të lagur, por jo duke pikuar.
3. I thani flokët me peshqir të zakonshëm
Flokët janë veçanërisht të brishtë kur janë të lagur, dhe fërkimi i tyre me peshqir pas larjes mund të çojë në këputje dhe maja të ndara. Zgjidhja? Përdorni një peshqir mikrofibër ose një bluzë pambuku të butë. Thjesht mbështillini flokët lehtësisht dhe lejoni që uji të thithet.
4. I krihni flokët menjëherë pasi i lani
Krehja e flokëve të lagur është një nga zakonet më të zakonshme, por gjithashtu më të dëmshme. Kur janë të lagur, flokët janë më elastikë dhe më të prirur për t’u këputur. Përdorni një krehër me dhëmbë të rrallë ose një krëhër të posaçëm për flokë të lagur dhe filloni gjithmonë nga poshtë, duke u ngjitur gradualisht lart.
5. Përdorni tharësen në temperaturë shumë të lartë
Tharja e shpejtë me nxehtësi të lartë mund të jetë praktike kur jeni me nxitim, por dëmton strukturën e flokut, shkakton majat dyshe dhe i bën flokët më të thatë e më të elektrizuara. Stilistët profesionistë zakonisht përdorin shpejtësinë/temperaturën e mesme dhe e marrin kohën e tyre përë këtë proces. Veproni dhe ju njësoj!