
“Shumë çifte vijnë në terapi me bindjen se problemet në marrëdhënien e tyre janë faj i partnerit,” shkruan psikologia klinike Dr. Samantha Rodman Whiten në një artikull për YourTango.com.
Një version tjetër i kësaj bindjeje është: "Të dy kemi faj, por gjithçka nisi nga partneri im."
Në të njëjtin artikull, ajo thekson se kur dikush nuk pranon asnjë pjesë të përgjegjësisë për vështirësitë që kalon marrëdhënia, i mohon vetes mundësinë për t’u bërë një partner më i mirë.
“Sa më shumë që fajësojnë partnerin (hapur apo në mënyrë të tërthortë), aq më pak gjasa ka që të ndryshojnë vetë diçka që mund të përmirësojë marrëdhënien.”
Dr. Rodman propozon pesë pyetje kyçe për të reflektuar mbi veten dhe rolin që luajmë në sfidat e një marrëdhënieje. Ato na ndihmojnë të kuptojmë më mirë dobësitë tona dhe të ndërtojmë një marrëdhënie më të shëndetshme, së pari me veten, e më pas me tjetrin.
1. Si ndikon mënyra si jeni rritur në marrëdhënien tuaj?
Nëse mendoni se prindërit tuaj kishin një martesë perfekte, mund të jeni duke përfytyruar në një iluzion. Çdo marrëdhënie ka sfidat dhe kompromiset e saj. Dhe nëse prindërit tuaj kanë pasur një marrëdhënie problematike, kjo po ashtu nuk duhet të jetë modeli që ndjekim verbërisht.
Reflektoni: Çfarë keni mësuar nga marrëdhënia e tyre? Cilat gabime do të donit të mos i përsërisni?
Mundohuni të përmblidhni 5–10 mësime që keni nxjerrë nga prindërit dhe si mund t’ju ndihmojnë këto sot, në marrëdhënien tuaj.
2. Pse nuk veproni, edhe kur e dini çfarë mund ta përmirësojë lidhjen?
Shumë njerëz e dinë se një gjest i vogël, një fjalë e mirë, një përqafim, pak kohë cilësore, do ta bënte partnerin më të lumtur. Por shpesh e anashkalojnë, duke përdorur arsye si stresi, lodhja apo mungesa e kohës.
Thellohuni pak më shumë: Pse e shmangni qëllimisht diçka që do të sillte më shumë dashuri? Vetëm kur e kuptoni arsyen e vërtetë dhe e pranoni, mund të filloni të ndryshoni për mirë.
3. A pretendoni se e keni tejkaluar diçka që, në fakt, vazhdon t’ju lëndojë?
Nëse ende ndiheni të lënduar për diçka që ka ndodhur në të kaluarën, qoftë një zhgënjim apo mungesë përkrahjeje, dhe nuk e keni shprehur dot kurrë, nuk është çudi që marrëdhënia nuk po ecën përpara.
Mbajtja brenda e dhimbjes e pengon lidhjen të shërohet. Komunikimi, pa fajësime apo sulme, është çelësi. Përndryshe, ato ndjenja të pathëna mund të grumbullohen dhe të kthehen në pengesa afatgjata.
4. Cili është problemi më i madh në marrëdhënien tuaj?
A ka një çështje që e shmangni vazhdimisht, sepse është shumë e vështirë për t’u diskutuar? Ndoshta keni ndjesinë se nuk keni qenë kurrë realisht të dashuruar me partnerin. Ose mungon kimia mes jush.
Shumë çifte përballen me çështje të tilla, por zgjedhin të heshtin. Nëse nuk mund ta hapni këtë bisedë me partnerin, kërkoni ndihmë profesionale. Shumë nga këto probleme janë të zgjidhshme, por kërkojnë guxim dhe përballje.
5. A e shihni veten me partnerin edhe pas 10 vitesh?
Ndonjëherë, njerëzit nuk përpiqen ta rregullojnë marrëdhënien sepse, në një nivel të pavetëdijshëm, nuk besojnë se ajo ka të ardhme.
Nëse po qëndroni në marrëdhënie vetëm nga frika se mos mbeteni vetëm, ose me idenë“deri sa të vijë dikush më mirë”, atëherë jeni duke i bërë dëm vetes dhe tjetrit.
Ndërkohë që rrini në një lidhje që nuk e besoni vërtet, humbni kohë dhe energji që mund të përdoreshin për të ndërtuar diçka më të vërtetë, qoftë me këtë person, qoftë me dikë tjetër.
Këto pesë pyetje nuk janë të lehta, por janë të nevojshme.
Në vend që të pyesni vazhdimisht "Çfarë nuk shkon me partnerin tim?", ndoshta është koha të pyesni: "Si po ndikoj unë në këtë marrëdhënie?"