
Nga marrëdhëniet dhe stilet e lidhjes emocionale, te komunikimi dhe vetëvlerësimi, përvojat dhe traumat e fëmijërisë shpesh ndikojnë jetën tonë si të rritur, ndonjëherë në mënyra të padukshme. Edhe pse gjithmonë kemi fuqinë të shërohemi dhe të përballemi me këto plagë, pavarësisht moshës, ato shpesh mbeten të fshehura në bindje dhe qëndrime të pavetëdijshme që as nuk e kuptojmë se i mbajmë.
Megjithatë, ka disa sjellje të çuditshme që i vëren te dikush që ka pasur një fëmijëri të vështirë: nga kërkimi i vazhdueshëm i faljes, te shmangia e konflikteve. Janë instinkte mbijetese, reagime “lufto ose ik” dhe mekanizma vetë-qetësues, që shumë të rritur ende i përdorin për të shëruar fëmijën e tyre të brendshëm dhe për t’u përballur me frikërat që u krijuan nga prindërit apo rrethanat e fëmijërisë.

Ja 11 sjellje që e tregojnë këtë:
1. Kërkojnë falje për gjithçka
Sipas psikologut klinik Daniel S. Lobel, shumë fëmijë që kanë kaluar një fëmijëri të vështirë mësojnë të kërkojnë falje për gjithçka, për të mbrojtur emocionet e prindërve dhe sigurinë e tyre. Për shumë prej tyre, kjo sjellje vazhdon edhe në moshë madhore, dëshira për t’i kënaqur të tjerët shndërrohet në një mekanizëm mbijetese që i ndihmon të qetësohen në situata stresuese.
2. Kapen fort të qenit të pavarur
Edhe pse pavarësia është e shëndetshme, disa njerëz që janë rritur me nevoja të paplotësuara ose mungesë kontrolli, e përdorin autonominë si mekanizëm mbrojtës. Ata nuk duan të varen nga askush dhe, pa e kuptuar, shpesh i largojnë njerëzit për të mbrojtur lirinë e tyre.
Fëmijët që u detyruan të rriteshin shpejt dhe të silleshin si “të rritur” që në moshë të vogël, e kanë këtë pavarësi të natyrshme.
3. Marrin gjithmonë vendime “të pjekura”
Fëmijët e detyruar të marrin role të papërshtatshme për moshën e tyre e mbajnë këtë barrë edhe si të rritur. Ata fokusohen vetëm te detyrimet, përgjegjësitë dhe “të bërit gjënë e duhur”, duke vendosur standarde jorealiste për veten.
Rezultati? Lodhje emocionale dhe mungesë hapësire për argëtim, pushim apo spontanitet.
4. Kanë vështirësi t’u besojnë të tjerëve
Kur ata që duhet të të mbronin, prindërit, krijuan një ambient të pasigurt, mosbesimi bëhet i natyrshëm. Qoftë në punë apo në miqësi, pritshmëria që njerëzit do të të zhgënjejnë është shumë e zakonshme.
Por ka edhe një anë të mira: ti je rezistent/e. Sot ke kontroll, mund të vendosësh kufij, të largohesh dhe të shprehesh pa frikë. Rregullat i vendos ti.
5. Shkëputen nga emocionet e tyre
Kur e ke kaluar fëmijërinë duke përjetuar emocione të mëdha pa mbështetje, shkëputja emocionale mund të duket si zgjidhje. Sidomos nëse je mësuar të shtypësh ndjenjat për të “ruajtur qetësinë” në shtëpi.
Por mpirja emocionale ka pasoja serioze për shëndetin, marrëdhëniet dhe mirëqenien afatgjatë.

6. Presin gjithmonë më të keqen
Sipas psikologes Fabiana Franco, truri i njerëzve me trauma është “trajnuar” të presë rrezik të vazhdueshëm. Ata jetojnë në gjendje alarmi, gjithmonë duke u përgatitur për skenarin më të keq.
Edhe pse kjo vjen nga dëshira për kontroll, kjo mënyrë të menduari ua vështirëson shijimin e të papriturës dhe gëzimeve të vogla të jetës.
7. Shmangin pushimin
Fëmijët që janë ngarkuar herët me përgjegjësi shpesh janë mësuar të ndihen fajtorë kur pushojnë. Si të rritur, ata punojnë pa u ndalur, e mbingarkojnë veten dhe e matin vlerën personale me produktivitetin.
8. Shmangin konfliktet dhe debatet
Trauma emocionale shpesh lidhet me sjellje shmangëse. Nëse debatet në fëmijëri sillnin frikë ose ndëshkim, kur rritesh largimi nga konflikti bëhet reagim automatik. Shmangia ndihmon përkohësisht, por e bën të vështirë zgjidhjen e bisedave të rëndësishme.
9. Nuk dinë të pranojnë komplimente
Vetëvlerësimi i ulët e bën lavdërimin të ndihet i çuditshëm ose i pamerituar. Komplimentet bien ndesh me zërin kritik të brendshëm, duke krijuar parehati.
10. Kanë vështirësi me kompromisin
Për shkak të mungesës së kontrollit në fëmijëri, si të rritur bëhen tepër mbrojtës ndaj rutinave dhe nevojave të tyre. Kjo mund të shfaqet si kontroll ose vështirësi për t’u përshtatur në marrëdhënie.
11. Kufijtë e tyre janë “gjithçka ose asgjë”
Fëmijët që u rritën në ambiente të pasigurta nuk kishin luksin të zgjidhnin. Si të rritur, ose mbyllen totalisht, ose pranojnë gjithçka.






