8 tetori i këtij viti shënon ditën e një prej dasmave më të përfolura shqiptare. Princi Leka dhe Elia Zaharia martohen pas një marrëdhënieje shumë vjeçare, dhe kurorëzimi pritet me shumë vëmendje.
Dasma është një prej momenteve më të rëndësishëm në traditën shqiptare dhe botërore. Aq më tepër kur bëhet fjalë për njerëz të famshëm, ceremonia martesore ndiqet me kurreshtje, si momenti i finalizimit të një marrëdhënieje të njohur publikisht.
Risjellim 10 martesat më të bujshme në Shqipëri.
Mbreti Zogu dhe Geraldina
27 prilli i 1938-ës shënoi martesën më të madhe të dokumentuar në Shqipëri. Mbreti Zog lidhi kurorë me konteshën hungareze Geraldina Appony, një ngjarje që u pasqyrua në shumë media të huaja. Çdo detaj i dasmës ishte zgjedhur në më të mirën; pjatat, arredimi, ishin të markave më të shtrenjta sikurse fustanet e Geraldinës, njëri Chanel e tjetri Worth. Mbreti dhe Mbretëresha parakaluan në një shesh të mbushur plot me njerëz dhe iu drejtuan altarit, ku bënë betimet e një martese që do të hynte në historinë e Shqipërisë.
Fatos Nano dhe Xhoana
Për herë të parë, një njeri i njohur në Shqipëri bëri publikisht një martesë të dytë. Pas 27 vitesh, Fatos Nano u nda nga Rexhina me të cilën kishte dy fëmijë. Gjatë qëndrimit në Greqi ai njohu një vajzë në të 20-at; Xhoanën. Ata u martuan në 8 nëntor të 2002-shit, në një dasëm në një klab të Tiranës me mbi 300 të ftuar, mes tyre njerëz të njohur nga të gjitha fushat. Pas kësaj iu drejtuan Golemit, ku festuan me familjarët dhe miqtë e trye të afërt. Qe një bashkim që theu dhe ndryshoi rregullat e martesës së njerëzve publikë. Jo vetëm Xhoana ishte gruaja e dytë, por ishte 20 vite më e re dhe kishte një djalë, të cilin më pas Fatos Nano e birësoi ligjërisht.
Martesa e Linda Fllokos dhe Ilan Gorodezky
Vajza e Vera Grabockës dhe Timo Fllokos pati fatin të martohej në një prej vendeve historike më të rëndësishme, tek Kulla e Davidit në Jeruzalem. Deri më atëherë askush nuk kishte mundur të martohej brenda mureve të tij. Duke qenë dhëndri Izraelit, dasma u bë sipas rregullave hebreje; ceremonia nisi ditën e enjte në orën 16:00; para perëndimit të diellit. Një çarter privat çoi rreth 100 të ftuar nga Shqipëria në Jeruzalem; njerëz të njohur të medias, ekonomisë dhe politikës mundën të ndiqnin nga afër këtë dasmë të rrallë shqiptaro-izraelite. Ceremonia u zhvillua në gjuhën izraelite, ndërsa për të ftuarëve u shpërndanë kibbah-e (kapelja karakteristike hebreje).
Edi Rama dhe Linda Basha
Dalja publike e Edi Ramës me partneren, Linda Basha, qe një lajm i beftë për shqiptarët. Rama ishte ende kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si kryetar i Partisë Socialiste, ishte pretendent për kryeministër në zgjedhjet që vinin. Dasma erdhi shpejt, në 25 tetor të 2010-ës, në një ceremoni të madhe në Pezë me rreth 500 të ftuar politikanë dhe njerëz të rëndësishëm. Si Edi Rama, ashtu edhe Linda vinin nga martesa të mëparshme; ajo zgjodhi një fustan ngjyrë gri, ndërsa Rama një kostum klasik të zi. Të pranishëm në dasëm ishin edhe Rea, vajza e Lindës dhe Gregori, djali i Edit. Çifti shkëmbeu unazat e platinit dhe puthjen në buzë. Në qershor të 2013-ës, Rama u shpall kryeministër i vendit dhe dy vite më vonë u bë baba i një djali, Zahos.
Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj
Pas disa muajsh debati mbi buxhetin e dasmës, Erion Veliaj me Ajola Xoxën u martuan ashtu siç kishin paralajmëruar: në dy prej vendeve më të rëndësishme të historisë shqiptare. Dy ceremoni u mbajtën për të celebruar marrëdhënien 10-vjeçare të ministrit të Mirëqënies Sociale me avokaten; e para më 6 shtator 2014 në Kalanë e Gjirokastrës ishte më e madhja, me rreth 1000 të ftuar dhe pas dy ditësh, në Pezë, me të rinjtë dhe miqtë. Politikanët dhe mediat diskutuan gjatë për shpenzimet e dy ceremonive, pavarësisht shpjegimeve të çiftit se çdo gjë ishte organizuar nën kosto.
Nada Topi dhe Gurten Papuli
Kur Bamir Topi ishte president, vajzat e tij Nada dhe Etida ranë në sy menjëherë gjatë eventeve publike për paraqitjen dhe sjelljen e thjeshtë. Ato zgjodhën të përfundonin shkollën përpara se të finalizonin lidhjet e tyre shumëvjeçare. Pasi përfundoi juridikun me medalje ari, Nada Topi vendosi të bënte hapin e madh me partnerin e saj që në gjimnaz, Gurten Papuli në korrik të 2014-ës. Nuk kishin përse të rezervonin ndonjë sallë dasmash sepse Vila Topi ka një oborr gjigand të mjaftueshëm për 500 të ftuarit, mes të cilëve emra të njohur të kulturës dhe politikës shqiptare. Dasma ishte në qendër të vëmendjes së medias, ndërsa njerëzit prisnin tani finalizimin e lidhjes së vajzës tjetër, Etidës. Dy vite më vonë, në korrik të 2016-ës, Etida lidhi kurorë me Ilir Bregasin, djalin e sipërmarrësit Luan Bregasi po në të njëjtin vend, ku u mblodhën rreth 300 të ftuar.
Nora Istrefi dhe Robert Berisha
Pas një lidhjeje shumëvjeçare, Nora Istrefi dhe Robert Berisha më në fund u martuan në shtator të 2014-ës. Dasma e madhe mblodhi shumë këngëtarë dhe personazhe të njohur të show biz-it , dhe u kthye në qendrën e vëmendjes së medias. Nora u shfaq me një fustan në formë sirene me rrjetë në pjesën e dekoltesë dhe fund me fruda të mëdha që zgjateshin në një bisht të gjatë, të dizenjuar nga Valdrin Sahiti. Kolegët shprehën gëzimin për këtë martesë duke thënë se e kishin vonuar ca si tepër. Më pak se një vit më vonë erdhi në jetë vajza e tyre Renee.
Dasma e Sinan Hoxhës me Andrra Destanin
Gjithmonë i rezervuar për jetën private, Sinan Hoxha i habiti të gjithë sepse u martua shumë shpejt pasi bëri publike marrëdhënien me Andrra Destanin. Gushti i 2015-ës u shenjua nga lajmet për martesën luksoze të këngëtarit, i cili shkoi ta merrte nusen në Kumanovë me avion privat, për t'u kthyer më pas në Tiranë ku u mbajt dasma e madhe me të ftuar shumë personazhe të njohur të showbiz-it.
Redon Ndroqi dhe Mariami
Fishekzjarrë që ndriçuan natën e 9 shtatorit në Tiranë, dhe një tabaka që serviri 100 mijë dollarë si dhuratë për çiftin. Redon Ndroqi, djali i pronarit të "Ora News", Ylli Ndroqi, u martua me të fejuarën e tij prej vitesh, Mariamin. Përpos të gjithave, kjo ceremoni ishte e pazakontë sepse ishte e para dasmë në Pallatin e Kongreseve. Çifti u bekua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një sallë plot të ftuar të rëndësishëm të politikës, biznesit dhe medias shqiptare.
Princi Leka dhe Elia Zaharia
Një martesë që paralajmërohet prej vitesh do të ndodhë në 8 tetor të 2016-ës. Nuk është një datë e zgjedhur rastësisht; përkon me ditëlindjen e mbretit Leka Zogu, monarkut të fundit në Shqipëri. Ceremonia do të nisë tek Pallati i Brigadave, në dhomën e fronit ose siç njihet salla "Skënderbe". Më pas do të kalohet në pjesën tjetër të rezidencës, të hapur për miq dhe familjarë.
Princi dhe Elia kanë pohuar se u janë dërguar ftesa familjeve mbretërore të shumë vendeve në Evropë dhe jashtë saj, por emrat mbeten të pakonfirmuar për arsye sigurie. Pritet që të pranishëm të jenë emra të njohur nga oborret mbretërore të vendeve fqinje, Egjiptit, Monakos, ndërsa me kurreshtje priten Princi Karl Philip i Suedisë dhe Princesha Sofia (lexo këtu).
Elia Zaharia do të veshë një fustan të punuar nga Blerina Kllokoqi Rugova, ndërsa ceremonia do të ketë elemente të traditës shqiptare, që nga ushqimi tek muzika. Do të jetë një ceremoni publike ashtu siç qe dikur dasma historike e Mbretit Zogu I me Geraldinën.