Xhevdet Feri, një prej ikonave të kinematografisë shqiptare, u përcoll dje (17 janar) drejt banesës së fundit. Aktori ndërroi jetë më 16 janar si pasojë e një sëmundjeje të rëndë pulmonare.
Miqtë, kolegët dhe familjarët i dhënë lamtumirën e fundit Ferit pa shumë bujë apo homazhe, duke respektuar kështu dëshirën e tij.
Vajza e aktorit, Bora Feri, përmes një statusi në Facebook, tregon arsyet e këtij vendimi, duke hedhur poshtë çdo aludim që mund të qarkullojë në media a portale.
"Dy fjalë në ditën më të zezë të jetës sime dhe të mamit!
1. Falenderime të pafundme dhe mirënjohje të thellë për gjithë ngushëllimet dhe suportin e miqve, dashamirësve dhe gjithë atyre që e kanë dashur Xhode Ferin, qofshin ata të aferm apo të largët. Në pamundësi për t’ju falenderuar një nga një, ju lutem pranoni këto falenderime publike.
2. Falenderime për mediumet e lajmeve që kanë përcjelle me shume respekt e dashamirësi jetën dhe karrieren e babit, duke patur mirekuptimin por dhe hermetizmin tonë të plotë.
3. Ndjej që duhet të sqaroj arsyen e ndarjes nga jeta të babit, për efekt qartesie të informacionit. Eshtë e vërtetë që ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, të cilën e kishte mposhtur me sukses. Arsyeja fizike pse na la ishte një insuficiencë e rëndë pulmonare, të cilën nuk mundi ta mposhte."- shkruan ndër të tjera Bora, e cila ndalon tek çështja e homazheve publike që munguan.
"4. Ndërsa përsa i përket çështjes së homazheve publike…Xhoda shquhej për diskrecion në jetën e vet. Vullneti i tij ish' që dhe në jetën e përtejme t’i prezervohej ky diskrecion. E kuptojme dhe vleresojmë që dashamirës të tij janë te dhembur për shkak të largimit të tij, por ne gjykojmë se dhimbja është personale dhe duhet vuajtur si e tillë. Nuk ka të bëjë me arsye zhgënjimi prej sistemit apo politikës - nuk është as rasti dhe as koha për refleksione të tilla. Ne na është shuar drita e diellit mbi shtëpi, nuk mendojmë për perceptime publike apo politike."- përfundon ajo.
Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj.